Rama: Dhuna dhe djegiet s’janë protestë studentore, do mbështesim bizneset e prekura
Kryeministri Edi Rama reagoi për të tretën ditë radhazi ndaj protestave në Tiranë, duke thënë se aktet e dhunshme dhe djegiet e bizneseve nuk lidhen me studentët. Ai akuzoi opozitën dhe Sali Berishën për nxitjen e situatës dhe premtoi mbështetje për sipërmarrjet e vogla pasi të qetësohet gjendja.

Kryeministri Edi Rama deklaroi të shtunën në Tiranë se dhuna dhe djegiet e bizneseve të shënuara gjatë tre ditëve të fundit të protestave nuk përfaqësojnë studentët. Ai u ndal pranë një kioske të djegur në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe u bëri thirrje sipërmarrësve të vegjël që të mos ndihen të vetëm, duke premtuar mbështetje pas normalizimit të situatës.
Sipas Ramës, qyteti po merret “peng me maska” dhe ngjarjet nuk lidhen me shqetësimet e qytetarëve. Ai drejtoi përgjegjësinë te Partia Demokratike dhe udhëheqësi i saj, Sali Berisha, duke i cilësuar si të njëjtën “dorë” që ka dëmtuar vendin edhe më herët.
“Kjo nuk ka lidhje fare me studentët. E gjithë kjo flamë nuk është flamë studentore,” tha Rama, duke shtuar se qeveria do të jetë pranë familjeve me biznese të vogla që janë goditur.
Kryeministri e lidhi shpërthimin e dhunës me momentet kur Shqipëria avancon drejt Bashkimit Europian, duke e përshkruar si një “provë” për shoqërinë. Ai solli në kujtesë përballimin e tërmetit si shembull të qëndresës dhe solidaritetit.
Rama dënoi veçanërisht nxjerrjen e të miturve në rrugë dhe përplasjet me policinë, duke theksuar se këto veprime rrezikojnë jetët e tyre dhe nuk kanë lidhje me kërkesat legjitime të studentëve apo qytetarëve.
Ai kërkoi durim nga publiku, duke theksuar se situata do të kalohet dhe se vendi nuk duhet të përkulet përballë dhunës.











