Gjykata vendos masa sigurie për të arrestuarit pas protestës së 13 tetorit në Tiranë
Protestuesit e ndaluar pas tubimit të 13 tetorit u paraqitën sot në gjykatë për masat e sigurisë. Seanca nisi në 08:30 dhe po zhvillohet me grupe, ndërsa u raportuan masa të ndryshme, deri te arresti me burg.

Protestuesit e arrestuar pas ngjarjeve të 13 tetorit në Tiranë dolën këtë të premte para Gjykatës për caktimin e masave të sigurisë. Seanca nisi në orën 08:30 dhe po zhvillohet me grupe për shkak të kufizimeve të ambienteve.
Çështja po shqyrtohet nga gjyqtarja Amarilda Sulaj. Brenda dhe jashtë ambienteve të gjykatës u panë forca policore të pajisura me skafandër dhe maska gazi, të vendosura në gatishmëri, ndërsa deri më tani situata është e qetë.
Sipas të dhënave paraprake, janë caktuar masa të ndryshme sigurie për protestuesit, përfshirë arrestin në shtëpi, detyrimin për t’u paraqitur dhe arrestin me burg. Për personin ndaj të cilit është dhënë arrest me burg, identiteti nuk është bërë i ditur.
Arrestimet pasuan incidentet gjatë protestës së 13 tetorit, kur u raportuan sulme ndaj Ministrisë së Arsimit dhe Bashkisë së Tiranës, dëmtime biznesesh dhe bankomatësh, djegie koshash mbeturinash dhe përplasje me Policinë.
Ndaj të arrestuarve rëndojnë tetë akuza penale: “Goditje për shkak të detyrës”, “Prishja e rendit dhe qetësisë publike”, “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse dhe djegëse”, “Vjedhja e bankave dhe arkave të kursimit”, “Shkatërrimi i pronës”, “Shkatërrimi i pronës me zjarr”, “Kundërshtimi i punonjësit të rendit publik” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.
Përveç të arrestuarve, 49 persona të tjerë janë vënë nën hetim në lidhje me ngjarjet e asaj nate, ndërsa gjashtë efektivë policie kanë mbetur të lënduar.











