Dy efektivë pezullohen pas videove të dhunës në protestë në Tiranë
Policia e Shtetit pezulloi nga detyra dy punonjës, pasi në rrjetet sociale u publikuan pamje ku ata shihen duke tejkaluar detyrën gjatë një proteste të të rinjve në Tiranë. Është hapur hetim disiplinor nga Drejtoria e Standardeve Profesionale.

Dy efektivë të Policisë së Shtetit u pezulluan nga detyra pas publikimit në rrjetet sociale të videove ku ata shihen duke përdorur forcë në tejkalim të detyrës dhe parimit të proporcionalitetit gjatë një proteste të të rinjve në Tiranë. Vendimi u mor me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm, Skënder Hita.
Sipas njoftimit zyrtar, menjëherë pas verifikimit të pamjeve, është urdhëruar pezullimi i menjëhershëm i dy punonjësve.
Njëkohësisht, Drejtori i Përgjithshëm ka kërkuar nga Drejtoria e Standardeve Profesionale nisjen e hetimit disiplinor për të dy efektivët e përfshirë në ndërhyrje.
Policia e Shtetit theksoi se "nuk do të tolerojë asnjë rast dhune apo tejkalimi të detyrës nga ana e punonjësve të Policisë", duke nënvizuar se përgjegjësia është individuale dhe se veprime të tilla cenojnë imazhin e institucionit dhe besimin e qytetarëve.
Nuk janë bërë të ditura identitetet e punonjësve, ndërsa hetimi disiplinor pritet të përcaktojë masat e mëtejshme.











