156 të lënduar në katër ditë protesta në Tiranë, Demo: 97 policë, 45 protestues e 12 kalimtarë
Ministri i Brendshëm Ervin Demo tha se 156 persona u plagosën gjatë protestave në kryeqytet në katër ditët e fundit, mes tyre 97 efektivë policie dhe 4 të mitur. Ai i bëri apel prindërve të mos lejojnë përfshirjen e fëmijëve në përplasje politike.

156 persona janë lënduar gjatë protestave të katër ditëve të fundit në Tiranë, bëri të ditur Ministri i Brendshëm Ervin Demo. Sipas tij, mes të plagosurve janë 97 efektivë policie, 45 protestues dhe 12 kalimtarë, ndërsa në këtë bilanc përfshihen edhe 4 të mitur.
Demo u ndal te prania e të miturve në ngjarje, duke u kërkuar prindërve që të mos i lejojnë fëmijët të përfshihen në përplasje politike. Ai tha se ka kërkuar nga forcat e rendit kujdes të veçantë kur kanë të bëjnë me minorenë.
Ministri e cilësoi dhunën gjatë protestave si përpjekje për marrjen e pushtetit me forcë dhe deklaroi se rruga e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian nuk do të ndalet. Ai theksoi se bizneset dhe prona publike janë dëmtuar në këto episode.
Sa i përket rolit të studentëve, Demo u shpreh se mes të arrestuarve apo proceduarve për akte të dhunshme numri i tyre është “jashtëzakonisht i vogël” dhe se nuk lidhen me “skenarin e dhunshëm politik”.
“Kur vijnë këtu të gjithë janë të humbur, asnjë s’ka fituar,” citoi Demo një mjek të Spitalit të Traumës.
Ministri uroi shërim të shpejtë për të lënduarit dhe përsëriti thirrjen për shmangien e dhunës, duke theksuar nevojën për bashkëpunim dhe qetësi.











