Rama pas protestës në Tiranë: Zyrat e Kolegjit të Europës u shkatërruan, përgjegjësit do të ndëshkohen
Kryeministri Edi Rama reagoi nga ambientet e zyrës së Kolegjit të Europës në Tiranë, e dëmtuar rëndë gjatë protestës së djeshme. Ai akuzoi opozitën për përpjekje për të penguar rrugën europiane të vendit dhe paralajmëroi se “kushdo që ka dorë do të paguajë”.

Kryeministri Edi Rama reagoi sot nga ambientet e zyrës së Kolegjit të Europës në Tiranë, e cila, sipas tij, u shkatërrua plotësisht gjatë tubimit të djeshëm. Ai e përshkroi këtë hapësirë si simbol të asaj që ndodhi gjatë protestës në kryeqytet.
Rama akuzoi opozitën se po përpiqet ta pengojë Shqipërinë në rrugën drejt Bashkimit Europian dhe theksoi se vendi nuk do të kthehet pas. Sipas tij, dëmtimet e zyrës janë një pasqyrë e tentativave për të ulur poshtë përpjekjet e vendit.
“Kushdo që ka dorë në këtë katrahurë do të paguajë. Shqipëria dhe shqiptarët nuk do të kthehen kurrë më pas,” u shpreh Rama.
Kreu i qeverisë tha se këto janë “orë të vështira”, por theksoi se rruga europiane do të vijojë dhe se e ardhmja i përket studentëve dhe shqiptarëve. Ai u shpreh se vendi nuk do të “bjerë në ato duar” që, sipas tij, e kanë “kapur për fyti” Shqipërinë.
Ngjarjet e djeshme në Tiranë sollën dëmtime në zyrat e Kolegjit të Europës, ndërsa kreu i qeverisë paralajmëroi përgjegjësi për autorët e dhunës.











