Policia apel prindërve: Mos lejoni përfshirjen e fëmijëve në protesta të dhunshme
Policia e Shtetit u kërkon prindërve dhe kujdestarëve të monitorojnë fëmijët, duke theksuar rrezikun e përfshirjes së tyre në përplasje gjatë protestave. Autoritetet paralajmërojnë hetime për çdo përdorim apo nxitje të të miturve në veprime të kundërligjshme.

Policia e Shtetit ka bërë sërish thirrje këtë javë për prindërit dhe kujdestarët ligjorë, duke kërkuar të mos lejojnë që fëmijët të marrin pjesë në protesta ku shënohen akte dhune. Sipas deklaratës zyrtare, një numër i konsiderueshëm të miturish janë parë në grumbullimet e ditëve të fundit.
Autoritetet theksojnë se në disa raste të miturit janë gjendur në vijën e parë të përplasjeve, të ekspozuar ndaj hedhjes së sendeve të forta dhe mjeteve që përdoren për menaxhimin e situatave të tensionuara.
“Dijeni ku janë fëmijët tuaj! Mos lejoni që ata të ekspozohen ndaj dhunës dhe situatave që rrezikojnë jetën dhe shëndetin e tyre”, thuhet në apelin e Policisë së Shtetit.
Policia u bën thirrje prindërve të interesohen për vendndodhjen e fëmijëve, veçanërisht në rastet e mungesës në shkollë, për të shmangur rrezikun ndaj jetës dhe shëndetit të tyre. Po ashtu, paralajmërohet dokumentimi dhe referimi te institucionet kompetente i çdo rasti të dyshuar të nxitjes, organizimit apo shfrytëzimit të të miturve për veprime të kundërligjshme.
Në deklaratë nënvizohet se e drejta për protestë paqësore respektohet, por Policija do të marrë masa të nevojshme dhe proporcionale për mbrojtjen e qytetarëve, sidomos të fëmijëve. Pjesëmarrësit u ftohen të distancohen nga persona të maskuar dhe të dhunshëm dhe të mos sulmojnë punonjës policie, institucionet dhe pronën publike ose private.
“Fëmijët nuk janë mburojë e askujt dhe nuk mund të kthehen në instrumente të përplasjeve për qëllime të caktuara”, thekson Policia e Shtetit.











