Ministria e Shëndetësisë: 14 të lënduar nga protesta; në mesin e tyre policë dhe të mitur
Ministria e Shëndetësisë njoftoi se 14 persona u paraqitën për ndihmë mjekësore në Spitalin e Traumës, mes tyre 8 efektivë policie, 4 protestues dhe 2 të mitur. Disa vijojnë trajtimin, ndërsa një i mitur është larguar jashtë rrezikut për jetën.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale bëri të ditur se në Spitalin Universitar të Traumës janë paraqitur 14 persona të lënduar pas protestës: 8 efektivë policie, 4 protestues dhe 2 të mitur.
Sipas njoftimit, aktualisht po marrin kujdes mjekësor 4 efektivë policie; dy prej tyre janë në gjendje të mirë shëndetësore, ndërsa një efektiv nga Shkodra po mbahet në monitorim intensiv. Po ashtu, 4 protestues vijojnë trajtimin dhe ndodhen në gjendje të mirë.
Njëri nga të miturit është larguar nga Spitali i Traumës në gjendje të mirë, pas trajtimit nën kujdesin e ekipit mjekësor dhe në praninë e psikologut. Ai u largua jashtë rrezikut për jetën, i shoqëruar nga prindi.
Ndërkohë, në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” është paraqitur sot vetëm një efektiv policie, i cili pas trajtimit është larguar sipas rekomandimit të mjekëve.











