Mbyllet protesta në Korçë pas orësh tensionesh, mbi 20 të rinj të shoqëruar nga policia
Protesta në Korçë përfundoi pas rreth pesë orësh përplasjesh mes protestuesve dhe policisë. U raportuan dëmtime në disa institucione dhe të lënduar nga të dyja palët, ndërsa mbi 20 të rinj u shoqëruan në komisariat.

Protesta në qytetin e Korçës ka përfunduar pas rreth pesë orësh tensionesh, me mbi 20 të rinj të shoqëruar nga policia. Në tubim morën pjesë masivisht gjimnazistë, ndërsa iu bashkuan edhe nxënës të shkollave 9-vjeçare.
Gjatë protestës u bllokuan disa akse rrugore brenda qytetit, duke vështirësuar qarkullimin e automjeteve. Situata u përshkallëzua në përplasje mes protestuesve dhe forcave të rendit.
Si pasojë e incidenteve, u raportuan dëmtime në ambientet e gjimnazit “Raqi Qirinxhi”, si edhe te Drejtoria Arsimore dhe Bashkia e Korçës.
Ka pasur të lënduar nga të dyja palët, përfshirë efektivë policie dhe protestues. Nuk raportohet për numrin e saktë të të plagosurve.
Sipas të dhënave të para, mbi 20 të rinj janë shoqëruar në komisariat, ndërsa pritet që autoritetet të sqarojnë plotësisht rrethanat e incidenteve të regjistruara gjatë tubimit.











