Liderët e BE-së nisin samitin dyditor në Bruksel: ekonomi, buxheti, Kina dhe Ukraina në fokus
Udhëheqësit evropianë mblidhen në Bruksel për një samit dyditor me axhendë të ngarkuar nga konkurrueshmëria, buxheti i ardhshëm i BE-së, marrëdhëniet tregtare me Kinën dhe mbështetja për Ukrainën. Nuk pritet marrëveshje përfundimtare, por kërkohet kompromis deri në fund të vitit.

Liderët e Bashkimit Evropian mblidhen sot në Bruksel për një samit dyditor, ku pritet të diskutojnë mbi gjendjen e ekonomisë, buxhetin shumëvjeçar 2028–2034, marrëdhëniet tregtare me Kinën dhe vazhdimin e mbështetjes për Ukrainën.
Takimi hapet me çështjen e konkurrueshmërisë së ekonomisë evropiane dhe rritjes së çmimeve të energjisë, të cilat vijojnë të ushtrojnë presion mbi vendet anëtare. Në tryezë është edhe deficiti i lartë tregtar me Kinën, teksa Brukseli akuzon Pekinin për subvencione shtetërore që krijojnë terren të pabarabartë në treg.
Përpara samitit, kancelari gjerman Friedrich Merz dhe presidenti francez Emmanuel Macron kanë kërkuar masa të reja evropiane kundër praktikave që, sipas tyre, deformojnë konkurrencën. Liderët do të shqyrtojnë gjithashtu nëse planet e fundit për kufizimin e importeve të automjeteve hibride nga Kina mund të mjaftojnë për të ulur tensionet tregtare.
Në axhendë është dhe korniza buxhetore e BE-së për periudhën 2028–2034. Propozimi aktual i kompromisit has kundërshtime mes vendeve më të pasura, përfshirë Gjermaninë, dhe shteteve që varen më shumë nga fondet e kohezionit.
Edhe pse një marrëveshje përfundimtare nuk pritet në këtë samit, presidenti i Këshillit Evropian, António Costa, përballet me presion për të gjetur një rrugëzgjidhje që do të mundësonte arritjen e kompromisit deri në fund të vitit.
Të premten parashikohet pjesëmarrja e presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, i cili do t’u kërkojë liderëve evropianë mbështetje të mëtejshme për Kievin, pas intensifikimit të sulmeve ruse në Ukrainë ku janë vrarë dhjetëra civilë.











