LDK i bashkohet grupit punues për Gjykatën Speciale, Abdixhiku propozon Kujtim Shalën
Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, njoftoi se partia do të marrë pjesë në grupin punues për Gjykatën Speciale. Ai propozoi deputetin Kujtim Shala si përfaqësues, me mundësi zëvendësimi nga Jehona Lushaku-Sadriu.

Lidhja Demokratike e Kosovës do të marrë pjesë në grupin punues të krijuar për çështjet që lidhen me Gjykatën Speciale, ka konfirmuar kryetari i partisë, Lumir Abdixhiku.
Sipas tij, LDK-ja i ka paraqitur propozimin shefes së grupit parlamentar që në këtë grup të përfaqësohet nga deputeti Kujtim Shala.
Abdixhiku shtoi se, nëse Shala nuk mund të angazhohet, opsioni tjetër do të jetë deputetja Jehona Lushaku-Sadriu.
Ai theksoi se përpjekjet e përbashkëta në nivel kombëtar janë të mirëpritura, por paralajmëroi kundër nismave që “s’kanë efekt juridik”.
“Çdo përpjekje e përbashkët kombëtare është e mirëseardhur, për aq sa nuk i mashtrojmë qytetarët e Kosovës me iniciativa që s’kanë efekt juridik,” tha Abdixhiku.
Vendimi vjen në kuadër të angazhimeve institucionale për adresimin e temave që lidhen me Gjykatën Speciale dhe rolin e Kosovës në këtë proces.











