Berisha i kërkon Ramës dorëheqje dhe përmend shembujt e Ramiz Alisë e Çausheskut
Kryedemokrati Sali Berisha i bëri thirrje kryeministrit Edi Rama të largohet nga detyra, duke theksuar mbështetjen e PD për protestën studentore. Ai e krahasoi zgjedhjen e Ramës me fatet e Ramiz Alisë dhe Nicolae Çausheskut.

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, i bëri sërish thirrje kryeministrit Edi Rama të japë dorëheqjen, në një dalje për mediat. Ai theksoi se opozita do të vijojë të mbështesë protestën studentore.
“Jam këtu për të paralajmëruar Edi Ramën se asnjë provokacion, asnjë akt i tij, policisë së tij kriminale dhe shërbimit të tij, nuk do mund të cenojë mbështetjen e plotë dhe totale të Partisë Demokratike, anëtarëve, mbështetësve të saj në mbarë Shqipërinë, për protestën studentore”, deklaroi Berisha.
Sipas tij, PD, anëtarët dhe mbështetësit në të gjithë vendin do të qëndrojnë në krah të studentëve, pavarësisht veprimeve të qeverisë dhe strukturave shtetërore.
Kreu i opozitës i bëri thirrje Ramës të largohet nga detyra, duke përmendur si shembuj fatet e ish-udhëheqësve Nicolae Çaushesku dhe Ramiz Alia gjatë përmbysjeve politike në fund të viteve ’80.
“Sikundër, i sugjeroj që midis fatit të Çausheskut dhe fatit të Ramiz Alisë, të zgjedhë këtë të dytin. Rrugë tjetër nuk ka, të japë dorëheqjen”, përfundoi Berisha.











