55 të arrestuar, 98 të proceduar pas protestës në Tiranë; 51 policë të lënduar
Policia njofton se pas protestës së 14 tetorit në Tiranë u arrestuan 55 persona dhe u proceduan penalisht 98 të tjerë, ndërsa 51 efektivë mbetën të lënduar dhe u raportuan dëme të shumta në institucione e biznese.

55 persona u arrestuan dhe 98 të tjerë u proceduan penalisht pas protestës së 14 tetorit në Tiranë, ku sipas Policisë u lënduan 51 efektivë dhe u shkaktuan dëme në institucione shtetërore, biznese, automjete dhe prona publike e private.
Në njoftimin zyrtar thuhet se dhjetëra protestues të maskuar hodhën gurë, sende të forta metalike, kapsolla dhe kokteje molotovi ndaj punonjësve të policisë, institucioneve dhe subjekteve private.
Dëmtime janë raportuar te godina e Ministrisë së Arsimit, ku u thyen xhama dhe u dëmtuan mure e kangjella. Po ashtu, u dëmtuan banka, institucione financiare, biznese, bankomate, kamera sigurie, semaforë dhe sinjalistika rrugore.
Sipas Policisë, aktet e dhunës vijuan në disa akse të kryeqytetit, përfshirë bulevardet “Dëshmorët e Kombit” dhe “Gjergj Fishta”, si edhe rrugët “Muhamet Gjollesha” dhe e Durrësit.
Një incident u regjistrua pranë Komisariatit të Policisë Nr. 2, ku disa persona hynë në rrethimin e godinës dhe dëmtuan fasadën e xhamit dhe portën hyrëse; u dogj një automjet policie dhe u dëmtuan tre të tjera të parkuara.
Nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, janë arrestuar 55 persona, mes tyre dy të mitur 15 dhe 17 vjeç, ndërsa 98 shtetas u proceduan penalisht. Grupi hetimor vijon punën për identifikimin e të tjerëve të dyshuar dhe dokumentimin e plotë të ngjarjeve.
Materialet procedurale janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.











