Tre të dyshuar në kërkim për vjedhjen me armë në Elbasan; në mjet gjenden rroba të ngjashme me ato të Policisë
Policia në Elbasan ka identifikuar dhe shpallur në kërkim tre persona për vjedhjen me armë të 12 tetorit në lagjen “5 Maji”. Në automjetin e braktisur u gjetën veshje që i ngjajnë uniformave të Policisë, një thikë dhe një fenelinë.

Policia e Elbasanit ka bërë me dije se ka identifikuar dhe shpallur në kërkim tre persona të dyshuar për vjedhjen me armë të ndodhur në orët e para të 12 tetorit 2026, në lagjen “5 Maji”. Ngjarja u shënua në një banesë, ku autorët dyshohet se morën një shumë parash dhe telefona celularë, pasi kërcënuan me armë personat që ndodheshin aty.
Të dyshuarit janë M. M., 46 vjeç, banues në Lezhë, S. A., 27 vjeç, banues në Elbasan dhe N. A., 21 vjeçe, banuese në Greqi. Policia njofton se për kapjen e tyre vijojnë kërkimet dhe po verifikohen edhe persona të tjerë të mundshëm të përfshirë.
Në kuadër të hetimit, është nisur procedim penal në gjendje të lirë për A. N., 30 vjeç, banues në Tiranë, i afërm i 46-vjeçarit dhe pronar i automjetit që dyshohet se është përdorur nga autorët dhe më pas është braktisur pas ngjarjes.
Gjatë kontrollit të mjetit, uniformat konstatuan veshje të ngjashme me ato të Policisë, një thikë dhe një fenelinë.
Materialet procedurale janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan për veprime të mëtejshme, ndërsa hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të rrethanave.











