Policia u tërheq vëmendjen protestuesve: përgjegjësi penale për dhunë e zjarrvënie, dënime deri në 7 vjet
Policia e Shtetit u kërkon protestuesve të distancohen nga dhuna dhe zjarrvëniet, duke paralajmëruar përgjegjësi individuale dhe dënime deri në 7 vjet burg sipas Kodit Penal.

Policia e Shtetit u bëri thirrje pjesëmarrësve në protestë të ruajnë qetësinë dhe të distancohen nga aktet e dhunës, zjarrvëniet dhe sulmet ndaj efektivëve, duke theksuar se çdo shkelje do të ndiqet penalisht me përgjegjësi individuale.
Në një reagim zyrtar, Policia shprehu shqetësim për përshkallëzimin e dhunës ndaj punonjësve të saj dhe dëmtimet me zjarr të pronës publike e private, të cilat, sipas saj, rrezikojnë drejtpërdrejt jetën e qytetarëve dhe sigurinë e pasurisë.
“Çdo person që ushtron dhunë, djeg apo shkatërron pronën, ose sulmon punonjësit e Policisë, mban përgjegjësi individuale dhe do të përballet me ligjin, në përputhje me veprën e kryer”, theksohet në reagim.
Institucioni kujtoi se Kodi Penal parashikon dënime deri në 7 vjet burg për vepra të caktuara që lidhen me dhunën dhe shkatërrimin e pronës me zjarr, në varësi të rrethanave dhe pasojave të shkaktuara.
“E drejta për të protestuar është e garantuar, por dhuna dhe shkatërrimi nuk janë pjesë e saj”, nënvizon Policia e Shtetit, duke u kërkuar qytetarëve të mos lejojnë që tubimi të përdoret si mbulesë për veprime të paligjshme dhe të largohen nga personat që nxisin apo kryejnë akte dhune.











