Kurti: Qeveria sot vendos për mbështetjen e ish-krerëve të UÇK-së në Apel
Kryeministri Albin Kurti tha se sot kabineti qeveritar do të marrë një vendim të rëndësishëm për mbrojtjen në Apel të ish-krerëve të UÇK-së, duke theksuar nevojën për strategji të mirëmenduar.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi gjatë mbledhjes së sotme të Qeverisë se pritet të merret një vendim i rëndësishëm lidhur me ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe mbrojtjen e tyre në shkallën e Apelit.
Ai theksoi se kanë kaluar gati një muaj nga shpallja e aktgjykimit në Hagë për katër ish-udhëheqësit e UÇK-së: Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi.
“Siç kemi bërë prej fillimit të këtij procesi, qeveria do të vazhdojë t’i mbështesë të akuzuarit në procesin e apelit ku presim korrigjimin e kësaj padrejtësie”, tha Kurti.
Kreu i ekzekutivit shtoi se për fazën e Apelit nevojitet një qasje e strukturuar, me analizë të thelluar të aktgjykimit të plotë, në mënyrë që të përcaktohen hapat e mëtejshëm.
“Duhet një strategji e mirëmenduar… në apel na duhet suksesi dhe për këtë gjë na duhet organizim. Prandaj sot do të marrim një vendim përkatës të rëndësishëm”, u shpreh ai.
Mblidhja e kabinetit qeveritar është duke u zhvilluar, ndërsa pritet formalizimi i vendimit të paralajmëruar.











