Koçiu apel pas protestës së tensionuar në Tiranë: “Shqipëria s’ka nevojë të digjet për të ndryshuar”
Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu reagoi në Facebook pas tensioneve dhe akteve të dhunës në protestën në Tiranë, duke kërkuar qetësi dhe vetëpërmbajtje. Ajo theksoi se vendi duhet të ndërtojë e të përparojë, jo të shkatërrojë arritjet.

Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu ka reaguar pas tensioneve dhe akteve të dhunës të shfaqura gjatë një proteste në Tiranë, duke u bërë thirrje qytetarëve për qetësi, vetëpërmbajtje dhe maturi.
Në një postim në Facebook, Koçiu theksoi se vendi ka paguar “shtrenjtë faturën e kaosit” në të kaluarën, kur janë sulmuar institucione dhe është dëmtuar prona, duke theksuar ndikimin e gjatë në zhvillim, stabilitet dhe besim.
“Shqipëria nuk ka nevojë të digjet për të ndryshuar. Ka nevojë të ndërtojë, të përparojë dhe të mbrojë atë që ka arritur,” deklaroi ajo.
Sipas saj, pamjet e dhunës dhe përplasjeve rikujtojnë sa e brishtë është vija që ndan protestën paqësore nga kaosi, ndaj nevojiten veprime të maturuara për të ruajtur rendin dhe qetësinë publike.
Thirrje për mbrojtjen e pasurisë publike
Koçiu nënvizoi se institucionet janë pasuri e përbashkët, bizneset përfaqësojnë punën e dikujt dhe rrugët u përkasin të gjithëve, ndërsa siguria është e drejtë e çdo qytetari.
Ajo bëri apel që energjia qytetare të kanalizohet në ndërtim dhe progres, duke shmangur shkatërrimin dhe përshkallëzimin e tensioneve.











