Delegacioni i BE në Tiranë shpreh shqetësim për përshkallëzimin e protestës së studentëve
Delegacioni i Bashkimit Evropian në Tiranë u shpreh i shqetësuar për dhunën gjatë protestës së studentëve dhe përplasjet me Policinë e Shtetit, duke kërkuar veprim të proporcional dhe hetime të menjëhershme për rastet e raportuara.

Delegacioni i Bashkimit Evropian në Tiranë deklaroi se është i shqetësuar për përshkallëzimin e dhunshëm të protestës së studentëve në kryeqytet dhe përplasjet me forcat e Policisë së Shtetit.
Në reagimin zyrtar, delegacioni bëri të ditur se është në dijeni të pretendimeve për përdorim të tepruar të forcës nga policia ndaj protestuesve dhe gazetarëve, duke theksuar nevojën që veprimet e rendit të jenë në përputhje me standardet dhe të drejtat themelore.
“Presim që veprimet e policisë të jenë proporcionale dhe të respektojnë të drejtat themelore, siç edhe presim që këto raste të hetohen me përparësi”, thuhet në njoftim.
Delegacioni thekson se liria e tubimit dhe e shprehjes janë të drejta themelore dhe vlera thelbësore evropiane, të cilat duhet të garantohen dhe të ushtrohen në mënyrë paqësore.
Thirrje për ulje tensionesh
Në përfundim, Delegacioni i BE-së inkurajon të gjitha palët të ulin tensionet dhe nënvizon se dialogu konstruktiv mes aktorëve të përfshirë është “e vetmja rrugë përpara”.











