16 të arrestuar dhe 49 të proceduar pas protestës së dhunshme në Tiranë
Pas tubimit të së martës në kryeqytet, policia njoftoi 16 arrestime dhe 49 procedime penale. Gjashtë efektivë u plagosën, ndërsa u dëmtuan godina publike dhe private.

Policia e Shtetit njoftoi se pas protestës së dhunshme të së martës në Tiranë janë arrestuar 16 persona dhe janë proceduar penalisht 49 të tjerë. Tubimi nisi para Ministrisë së Arsimit dhe u shoqërua me akte dhune ndaj efektivëve dhe institucioneve.
Sipas njoftimit, grupe protestuesish të maskuar hodhën gurë, pllaka betoni, kapsolla dhe kokteje molotovi drejt policisë dhe godinave shtetërore. Incidentet më pas u shtrinë edhe në zona të tjera të kryeqytetit.
Policia thotë se 16 të arrestuarit, të moshës 23 deri në 59 vjeç, u kapën në flagrancë dhe po hetohen për disa vepra penale, përfshirë goditje për shkak të detyrës, kundërshtim të punonjësve të policisë, prishje të rendit dhe qetësisë publike, shkatërrim prone dhe shkelje të rregullave për lëndët plasëse e djegëse.
Nga përplasjet u lënduan gjashtë punonjës policie, ndërsa u dëmtuan kangjellat, muret dhe dritaret e Ministrisë së Arsimit, si dhe sinjalistika rrugore dhe ambiente të disa subjekteve private.
Policia raportoi gjithashtu se në rrugën “Ded Gjon Luli” u thye një derë e Bashkisë së Tiranës dhe u vu zjarr në katin e parë të ndërtesës, ndërsa u shkaktuan dëme edhe në ambiente bankare dhe institucione financiare. Hetimet po vijojnë nën drejtimin e Prokurorisë për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë.











