Trump: SHBA vijon ndarjen e inteligjencës me Ukrainën, përmend edhe marrëveshjen për dizelin
Presidenti amerikan Donald Trump tha se Uashingtoni vazhdon të shkëmbejë informacione të inteligjencës me Ukrainën. Ai foli edhe për një marrëveshje me Moskën për lirimin e 300 mijë tonëve naftë dizel në treg.

Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, deklaroi se Shtetet e Bashkuara po vazhdojnë të ndajnë informacione të inteligjencës me Ukrainën, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve teksa po nisej për një tubim në Alaskë.
“Jo, nuk e kemi ndërprerë. Ne po i ndihmojmë dhe po ndajmë informacione të inteligjencës me ta”, tha Trump, duke theksuar se synimi i tij është përfundimi i luftës në Ukrainë.
“Prandaj, po punojmë me ta dhe me Rusinë për t’i dhënë fund luftës”, u shpreh ai.
Trump kujtoi edhe njoftimin e bërë të premten, sipas të cilit presidenti rus Vladimir Putin është pajtuar që 300 mijë tonë naftë dizel të lirohen “menjëherë”, për t’u hedhur në tregun amerikan dhe atë global.
I pyetur për shqetësimet e disa republikanëve se Rusia mund të përdorë të ardhurat nga kjo marrëveshje për të “blerë bomba” dhe për të vazhduar luftën, Trump u përgjigj: “Askush nuk më ka thënë asgjë”.
Ai e përshkroi këtë si një marrëveshje për furnizimin me naftë dizel që synon tregun botëror, i cili po përballet me çmime të larta.











