Shqipëria drejt mbylljes së përkohshme të Kapitullit 20 në Luksemburg
Shqipëria pritet të formalizojë sot në Luksemburg mbylljen e përkohshme të Kapitullit 20 të negociatave me BE-në, që lidhet me ndërmarrjet dhe politikat industriale. Kryeministri Edi Rama e cilëson një hap tjetër drejt anëtarësimit.

Shqipëria pritet të mbyllë përkohësisht Kapitullin 20 të negociatave me Bashkimin Evropian gjatë Konferencës së 10-të ndërqeveritare që zhvillohet sot në Luksemburg. Ky kapitull lidhet me ndërmarrjet dhe politikat industriale.
Gjatë kësaj konference pritet të formalizohet përparimi në rrugën e integrimit, si pjesë e procesit të hapjes dhe mbylljes së kapitujve të acquis të BE-së.
Kryeministri Edi Rama reagoi përmes rrjeteve sociale, duke e përshkruar zhvillimin si një hap tjetër përpara në integrim.
“Dhe me lajmin se sot në Luksemburg, Shqipëria hedh një tjetër hap drejt Bashkimit Europian, duke mbyllur kapitullin 20 në konferencën e 10-të të negociatave të Anëtarësimit në BE, ju uroj një ditë të mbarë”, shkroi Rama.
Me mbylljen e këtij kapitulli, numri i kapitujve të mbyllur përkohësisht nga Shqipëria arrin në katër. Vendi synon të përmbyllë negociatat me BE-në brenda vitit 2027, duke vijuar punën për përmbushjen e kritereve dhe standardeve të kërkuara.











