Prokuroria e Përgjithshme dhe AMA nënshkruajnë memorandum për luftën ndaj piraterisë dixhitale
Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela dhe kryetarja e AMA-s Armela Krasniqi nënshkruan një memorandum bashkëpunimi për të krijuar një task forcë kundër piraterisë dixhitale audiovizive. Palët do të koordinohen në kallëzime, hetime dhe dokumentim të rasteve.

Prokuroria e Përgjithshme dhe Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA) kanë rënë dakord të forcojnë bashkëpunimin institucional në luftën kundër piraterisë dixhitale. Në një takim mes Prokurorit të Përgjithshëm, Olsian Çela, dhe Kryetares së AMA-s, Armela Krasniqi, u nënshkrua një memorandum që parashikon ngritjen e një task force të posaçme për fushën audiovizive.
Sipas marrëveshjes, AMA do të paraqesë pranë prokurorive kompetente materialet që dyshohet se përbëjnë vepra penale, si edhe do të informojë organet e hetimit për format dhe metodat e reja të piraterisë dixhitale.
Prokuroria, nga ana e saj, do të vlerësojë kallëzimet e paraqitura dhe, kur të jetë e nevojshme, do të kërkojë të dhëna shtesë për një hetim të plotë dhe të gjithanshëm. Po ashtu, ajo do të bashkëpunojë me AMA-n për dokumentimin dhe referimin e rasteve që lidhen me piraterinë audiovizive.
Memorandumi synon rritjen e koordinimit ndërinstitucional dhe krijimin e mekanizmave praktikë për parandalimin, evidentimin dhe ndjekjen penale të shkeljeve në fushën dixhitale.











