Pezullohen 4 policë dhe shefi i Rendit i Komisariatit Nr. 1 pas videos me 19-vjeçarin e lënduar
Policia pezulloi katër efektivë dhe shefin e Rendit të Komisariatit Nr. 1, pasi u publikua një video ku një 19‑vjeçar i dëmtuar në këmbë shoqërohej pranë Parlamentit për në spital. U ngrit edhe një grup i posaçëm verifikimi, ndërsa AMP dhe Prokuroria kanë hapur hetimet.

Policia e Shtetit njoftoi se ka pezulluar nga detyra katër punonjës policie dhe shefin e Rendit të Komisariatit Nr. 1, pas publikimit të një videoje ku shihet një 19-vjeçar me dëmtim në këmbë teksa shoqërohet nga efektivët pranë Parlamentit për t’u dërguar në spital.
Në reagimin zyrtar thuhet se menjëherë kanë nisur verifikimet për të sqaruar rrethanat e ngjarjes dhe mënyrën e trajtimit të të riut nga policët. Paralele me këtë, është urdhëruar pezullimi i menjëhershëm i katër efektivëve dhe i shefit të Rendit të Komisariatit Nr. 1, nënkomisar F. K., ndaj të cilëve Drejtoria e Standardeve Profesionale ka hapur hetim disiplinor.
Po ashtu, është ngritur një grup i posaçëm nën drejtimin e Drejtorisë së Standardeve Profesionale, me detyrë të analizojë veprimet e strukturave policore nga fillimi deri në përfundim të tubimit dhe zbatimin e procedurave standarde. Sipas njoftimit, çdo shkelje e procedurave apo tejkalim kompetencash do të sjellë përgjegjësi.
Ndërkohë, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, në bashkëpunim me Prokurorinë, ka nisur hetimet penale lidhur me rastin.
Policia thekson se aktet e dhunshme të regjistruara në kryeqytet, përfshirë dëmtimin, shkatërrimin dhe djegien e pronës, nuk kanë lidhje me ushtrimin paqësor të së drejtës për protestë dhe nuk mund të justifikohen. Ajo u bën thirrje personave të maskuar dhe kujtdo që kryen dhunë ta ndalojnë menjëherë, pasi, siç thuhet në reagim, “do të përballen me forcën e ligjit”. Qytetarëve u kërkohet të distancohen nga veprimet e dhunshme për sigurinë e tyre.











