Mali i Zi mbyll përkohësisht tre kapituj të tjerë në negociatat me BE-në; pritet lëvizje edhe për Shqipërinë
Mali i Zi ka mbyllur përkohësisht kapitujt 17, 18 dhe 19 me Bashkimin Evropian, duke e çuar në 21 numrin e kapitujve të mbyllur deri tani. Komisionerja Marta Kos njoftoi se sot do të mbyllet edhe një kapitull me Shqipërinë.

Mali i Zi ka mbyllur përkohësisht tre kapituj të tjerë të negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Evropian: kapitullin 17 (politika ekonomike dhe monetare), kapitullin 18 (statistikat) dhe kapitullin 19 (politika sociale dhe punësimi). Lajmi u bë i ditur pas një konference për shtyp, ku u theksua se këto hapa e çojnë në 21 numrin e kapitujve të mbyllur përkohësisht nga gjithsej 33 të hapur.
Komisionerja Evropiane për Zgjerimin, Marta Kos, tha se reformat e kryera në kuadër të këtyre tre kapitujve sjellin përfitime konkrete për Malin e Zi. Ajo shtoi se “sot, do të mbyllim një kapitull me Shqipërinë” dhe se do të hapen nga dy grupkapituj negociues me Ukrainën dhe Moldavinë.
Kryeministri i Malit të Zi, Milojko Spajic, u shpreh se mbyllja e këtyre kapitujve ka krijuar një kornizë të qartë për stabilitetin ekonomik dhe monetar. Ndërkohë, Thomas Byrne, në emër të presidencës irlandeze të Këshillit të BE-së, theksoi se me 21 kapituj të mbyllur përkohësisht, Mali i Zi po avancon drejt mbylljes së kapitujve të mbetur, duke e quajtur zgjerimin “një domosdoshmëri gjeopolitike”.
Këto mbyllje pasojnë konferencën e anëtarësimit të 14 korrikut 2026, kur u mbyllën përkohësisht kapitulli 8 (politika e konkurrencës) dhe kapitulli 29 (bashkimi doganor). Monitorimi i përafrimit me dhe zbatimit të acquis të BE-së do të vijojë gjatë gjithë procesit.
Sipas parimeve të negociatave, marrëveshjet për kapituj të veçantë nuk konsiderohen përfundimtare deri në arritjen e një marrëveshjeje të përgjithshme për të gjithë kapitujt, dhe BE-ja mund t’u rikthehet atyre nëse paraqitet nevoja. Mali i Zi i ka hapur të 33 kapitujt e negociatave.











