Komisioni hap thirrjen për dy gjyqtarë të Kushtetueses, aplikimet deri më 2 nëntor 2026
Komisioni i Posaçëm për përzgjedhjen e kandidatëve për Gjykatën Kushtetuese vendosi të hapë thirrjen publike për dy vende vakante. Afati i aplikimit do të zgjasë 20 ditë, deri më 2 nëntor 2026.

Komisioni i Posaçëm për Shqyrtimin e Kandidatëve për Emërim në Gjykatën Kushtetuese, në mbledhjen e parë, vendosi të shpallë thirrjen publike për përzgjedhjen e dy gjyqtarëve të rinj të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës. Sipas kryetarit të komisionit, Vigan Qorrolli, thirrja do të hapet nga dita e nesërme dhe do të jetë e vlefshme për 20 ditë, deri më 2 nëntor 2026.
Qorrolli theksoi se dy vendet e lira vijnë nga legjislatura e kaluar dhe se procesi do të zhvillohet në përputhje me ligjin. “Të gjitha institucionet e drejtësisë mund të bëjnë nominimin e kandidatëve... por ashtu edhe individët mund të vetëpropozohen”, deklaroi ai.
Sipas tij, pas përfundimit të afatit të aplikimit, komisioni do të shqyrtojë të gjitha dosjet dhe do të zhvillojë intervista me kandidatët që plotësojnë kushtet ligjore. “Komisioni do të mblidhet për t’i shqyrtuar kandidaturat e secilit kandidat dhe do të bëjë intervistimin e tyre”, u shpreh Qorrolli.
Nga ky proces, kandidatët që rezultojnë të emërueshëm do t’i rekomandohen Kuvendit për miratim në një seancë plenare. Komisioni nënvizoi se synon një procedurë transparente dhe në përputhje me dispozitat që rregullojnë funksionimin e Gjykatës Kushtetuese.











