Gjyqi në Gjermani për shpërthimet e Nord Stream nis më 14 tetor, me akuza si “krim lufte”
Gjykata e Lartë Rajonale e Hamburgut hap më 14 tetor procesin për sabotimin e gazsjellësit Nord Stream. Në bankën e të akuzuarve do të ulet një shtetas ukrainas, ndërsa prokurorët thonë se veprimi u krye në emër të autoriteteve në Kiev, që mohon përfshirjen.

Më 14 tetor, në Gjermaninë veriore nis gjyqi për shpërthimet që nxorën jashtë funksionit tubacionet e Nord Stream në shtator 2022. Para Gjykatës së Lartë Rajonale të Hamburgut do të dalë një i pandehur ukrainas, i identifikuar si Serhii K., i cili akuzohet për bashkëpunim në kryerjen e një krimi lufte. Prokuroria gjermane thotë se hetimet kanë identifikuar gjithsej shtatë të dyshuar.
Sipas akuzës, grupi dyshohet se përdori një jaht të marrë me qira dhe vendosi eksplozivë në shtratin e detit, me qëllim ndërprerjen e përhershme të rrjedhës së gazit dhe pengimin e Rusisë të përdorte të ardhurat nga eksportet për luftën. Prokurorët pretendojnë se veprimi u planifikua “në emër të autoriteteve shtetërore në Ukrainë”, ndërsa Kievi e ka mohuar prerazi çdo lidhje. I pandehuri thotë se është i pafajshëm.
Dokumentet gjyqësore nuk bëjnë publike të gjitha hollësitë, por sipas raportimeve të disa mediave gjermane, gjatë paraburgimit në Itali, i dyshuari ka folur me bashkëshorten dhe është përgjuar nga hetuesit. Në bisedë, ai është referuar këshillës së një avokati për të pranuar se bëhej fjalë për një “operacion zyrtar ushtarak”, duke shtuar se komandanti i tij duhej të sqaronte se nuk ishin “dy ushtarakë të çmendur”.
Avokatët e të pandehurit në Itali dhe Gjermani kanë thënë se nuk ka prova përfundimtare për ta lidhur drejtpërdrejt me ngjarjen dhe se gjykata duhet të përcaktojë nëse Nord Stream përbënte një objektiv të ligjshëm ushtarak. Si komandant i Serhii K. është përmendur në media Roman Chervinskiy, i cili ka deklaruar se nuk ka prova që i pandehuri ka marrë pjesë në këtë operacion. Një tjetër i dyshuar, i identifikuar si Vladimir Z., ndodhet në paraburgim në Kroaci dhe kundërshton ekstradimin.
Pasojat politike
Procesi pritet të zgjasë me dy seanca në javë deri të paktën në shkurt dhe mund të ketë jehonë në debatin e brendshëm gjerman për mbështetjen ndaj Ukrainës. Forca opozitare AfD e kundërshton këtë mbështetje dhe kërkon afrime me Rusinë, ndërsa qeveria e kancelarit Friedrich Merz ka theksuar vijimin e politikave aktuale, përfshirë ndihmën ushtarake për Kievin.
Analistë vlerësojnë se ndikimi politik i çështjes do të varet nga provat për shtrirjen e komplotit dhe nëse lidhet me nivele të larta të sistemit politik ukrainas. Zyrtarë dhe ekspertë në Kiev shprehen se mbështetja gjermane ka gjasa të vijojë, pavarësisht përfundimeve të procesit.











