Gazi evropian ngjitet në nivelin më të lartë që prej dhjetorit 2022
Çmimi i gazit në Evropë u rrit sot në kulmin më të lartë në gati dy vjet, i nxitur nga kufizimet e furnizimit nga Gjiri dhe rezervat më të ulëta, veçanërisht në Gjermani. Ndërkohë, nafta Brent shënoi rënie pas rritjes së fortë një ditë më parë.

Çmimi i gazit natyror në Evropë u ngjit sot në nivelin më të lartë që nga dhjetori 2022, teksa shqetësimet për furnizimet nga Gjiri dhe nivelet e ulëta të magazinimit në Gjermani shtuan presionin mbi tregun. Rreth orës 09:55 GMT, kontrata e së ardhmes TTF në Holandë u rrit me 2,17%, në 86,19 euro/MWh, pasi më herët kishte prekur 86,79 euro/MWh.
Analistë të tregut vlerësojnë se perspektiva e një dimri me furnizime të kufizuara me gaz natyror të lëngshëm nga Gjiri po e shtrëngon ofertën. Konflikti në Lindjen e Mesme ka prekur një pjesë të prodhimit dhe eksporteve të GNL-së nga Katari, duke rritur pasigurinë për rrjedhën e energjisë drejt konsumatorëve.
Konkurrenca për ngarkesat e gazit mes blerësve evropianë dhe aziatikë është ashpërsuar, në një kohë kur kërkesa pritet të rritet me afrimin e stinës së ftohtë. Kjo dinamikë po ushtron presion shtesë mbi çmimet në bursat energjetike.
Rezervat e gazit në Evropë janë aktualisht të mbushura në 73,75%, më poshtë se niveli i një viti më parë prej 83% dhe nën mesataren pesëvjeçare prej 89%. Situata është më e ndjeshme në Gjermani, ku depozitat janë vetëm 59,96% të mbushura, sipas platformës AGSI.
Nafta bie pas rritjes së fortë
Në tregun e naftës, lëvizja ishte në kah të kundërt. Rreth orës 10:15 GMT, nafta Brent e Detit të Veriut, për dorëzim në dhjetor, ra me 1,92%, duke u tregtuar me 104,60 dollarë për fuçi, pas fitimeve të forta të regjistruara një ditë më herët.











