Dronë godasin dy anije në Detin e Zi pranë Bullgarisë; njëra mbytet
Dy anije u sulmuan nga dronë në ujërat pranë Bullgarisë në Detin e Zi. Njëra anije u mbyt, ndërsa autoritetet bullgare njoftuan se NATO është informuar dhe do të thirret ambasadorja e Rusisë për sqarime.

Dy anije tregtare u goditën nga dronë në Detin e Zi, pranë brigjeve të Bullgarisë, të martën më 13 tetor, ka bërë të ditur kryeministri bullgar Rumen Radev. Sipas tij, njëra prej anijeve u mbyt pas sulmit.
Alarmi i parë u regjistrua rreth orës 01:30 sipas orës lokale, kur u raportua se një anije nën flamurin e Maltës, në pronësi ukrainase, ishte goditur nga tre dronë. Radevi tha se i gjithë ekuipazhi i kësaj anijeje u shpëtua.
Pak më pas, një anije tjetër u godit në të njëjtën zonë dhe u fundos. Nga kjo anije u shpëtua një anëtar i ekuipazhit, ndërsa ende nuk janë dhënë të dhëna për fatin e pjesës tjetër të personave në bord.
Kryeministri bullgar njoftoi se për incidentin është informuar edhe NATO-ja dhe se do të thërrasë ambasadoren e Rusisë për të kërkuar sqarime lidhur me atë që e cilësoi si një akt të papranueshëm.
Rumen Radev e përshkroi ngjarjen si “të papranueshme”.
Autoritetet nuk kanë bërë publike ende detaje mbi autorët e sulmit dhe pritet të japin informacione të tjera në vijim.











