Shefi ushtarak i NATO-s në Evropë: Aleanca është gati të përgjigjet nëse sulmohet
Gjenerali amerikan Alexus Grynkewich deklaroi në Forumin e Sigurisë në Varshavë se NATO është e përgatitur të veprojë ushtarakisht në rast agresioni. Ai theksoi se konflikti nuk është i pashmangshëm, por aleanca mbetet e gatshme.

Në Forumin e Sigurisë në Varshavë, Komandanti Suprem i Forcave Aleate të NATO-s në Evropë, gjenerali amerikan Alexus Grynkewich, paralajmëroi se aleanca do të reagojë ushtarakisht nëse përballet me një sulm. “Nëse dikush është aq i pamatur sa të na sulmojë, ne do të luftojmë”, tha ai.
Sipas Grynkewich, NATO nuk e sheh një konflikt si të afërt apo të pashmangshëm, por mbetet në gjendje gatishmërie. Ai nënvizoi se aleanca është “gati të luftojë që sonte” nëse goditet.
Deklaratat vijnë teksa brenda aleancës janë shtuar paralajmërimet për rrezikun nga Moska, edhe pse gjenerali nuk e përmendi Rusinë me emër në fjalën e tij.
Grynkewich shpjegoi se në rast agresioni, qasja fillestare do të ishte ndalimi i forcave sulmuese, më pas zbehja e goditjes së tyre dhe, në fund, mposhtja e kundërshtarit.
Parandalimi dhe kostoja e përshkallëzimit
Ai theksoi rëndësinë e besimit në aftësinë e aleancës për të shkaktuar “efekte masive” dhe në sinjalin se NATO mund t’i përgjigjet çdo hapi të armikut në një shkallëzim të mundshëm. Këta faktorë, sipas tij, synojnë t’i bëjnë kundërshtarët të hezitojnë, duke parë një aleancë të bashkuar, të fortë dhe të gatshme për veprim.
“Ata duhet ta kuptojnë shpejt se kostoja ushtarake e përshkallëzimit është tepër e lartë”, përfundoi komandanti.











