Ministri izraelit Sa’ar në Tiranë: Shqipëria aleate e qëndrueshme, vlerësime për Ramën
Gideon Sa’ar, ministër i Jashtëm i Izraelit, lavdëroi në Tiranë marrëdhëniet me Shqipërinë dhe falënderoi për qëndrimin kundër terrorizmit, antisemitizmit dhe Iranit. Ai përgëzoi kryeministrin Edi Rama dhe foli për zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik e shëndetësor.

Ministri i Jashtëm i Izraelit, Gideon Sa’ar, gjatë një konference të përbashkët për shtyp në Tiranë me ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, vlerësoi marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Izraelit, duke falënderuar Tiranën për qëndrimin e saj kundër terrorizmit, antisemitizmit dhe Iranit.
Duke e cilësuar Shqipërinë “një mike të vërtetë” të Izraelit, Sa’ar tha se vizita e tij ishte e rëndësishme pavarësisht klimës zgjedhore në vendin e tij dhe nënvizoi mbështetjen morale të Tiranës pas ngjarjeve të 7 tetorit.
“Shqipëria është një mike e vërtetë e Izraelit… Nuk do ta harrojmë kurrë atë që bëri Shqipëria. Shohim sot të njëjtën qasje morale pas masakrës së 7 tetorit”, deklaroi ai.
Shefi i diplomacisë izraelite shprehu edhe admirimin për kryeministrin Edi Rama, duke theksuar rolin e tij udhëheqës në rajon dhe më gjerë.
“Dua të shpreh admirimin tim të jashtëzakonshëm për kryeministrin Rama… Udhëheqja e tij, bindja dhe busulla e palëkundur morale kanë vlerë përtej Ballkanit”, u shpreh Sa’ar.
Sa’ar foli për thellimin e bashkëpunimit ekonomik, duke veçuar rritjen e shpejtë të turistëve izraelitë në Shqipëri, që sipas tij kanë arritur në rreth 100 mijë, si dhe synimin për të nxitur investime të reja.
“Izraelitët ndihen të sigurt dhe të mirëpritur në Shqipëri… Duam të ndërtojmë bashkëpunim në energjetikë, ujë, mbrojtje dhe inovacion”, tha ai.
Ministri kujtoi marrëveshjen dypalëshe në fushën e shëndetësisë, të nënshkruar një vit më parë, dhe njoftoi se po punohet për ta zgjeruar partneritetin me një marrëveshje më të gjerë.
“Sot do ta zgjerojmë këtë partneritet… duke krijuar mundësi për kompanitë tona dhe bashkëpunim më të thellë”, përfundoi Sa’ar.











