Lezhë: Gjykata vendos “arrest me burg” për tre të dyshuar për atentat të mbetur në tentativë
Gjykata e Lezhës caktoi masën “arrest me burg” për Vinçesk Pirolin, Kristian Ymerin dhe Elden Tarjën, të ndaluar tre ditë më parë nën dyshimin se po përgatisnin një vrasje. Hetimet vijojnë për të sqaruar rrethanat dhe rolin e secilit.

Gjykata e Lezhës ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” për tre të ndaluarit Vinçesk Piroli, 38 vjeç, Kristian Ymeri, 34 vjeç, dhe Elden Tarja, 25 vjeç, të kapur tre ditë më parë nën dyshimin për përgatitje atentati në Lezhë.
Sipas të dhënave paraprake, Piroli dhe Ymeri dyshohet se qarkullonin të armatosur me një motor të bardhë dhe skafandra të zeza në aksin e vjetër rrugor Pllanë–Lezhë. Mjeti dyshohet se është vjedhur në Suedi.
Policia ndërhyri duke i ndaluar të dyshuarit dhe personin që mendohet se i transportonte me automjet. Askush prej të shoqëruarve nuk ka dhënë ende dëshmi për ngjarjen, sipas informacioneve paraprake.
Autoritetet po vijojnë hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat dhe për të përcaktuar rolin e mundshëm të secilit të përfshirë.
Tre të ndaluarit akuzohen për vrasje me paramendim të mbetur në tentativë, të kryer në bashkëpunim, sigurimin e kushteve dhe mjeteve për të kryer vrasje, si dhe trafikim të mjeteve motorike.











