El Niño shënon intensitet rekord; sinjalizon rritje të mëtejshme të temperaturave globale
Të dhënat e fundit tregojnë se El Niño ka arritur intensitet të paprecedentë, ndërsa oqeanet dhe atmosfera shënojnë temperatura rekord. Ekspertët paralajmërojnë se ngrohja mund të vazhdojë deri në vitin 2027.

El Niño ka arritur intensitet rekord, sipas vëzhgimeve të fundit ndërkombëtare, me rritje të dukshme të temperaturave të detit dhe ajrit në nivel global gjatë shtatorit. Fenomeni pritet të forcohet edhe më tej më vonë këtë vit.
Shërbimi i Ndryshimit Klimatik Koperniku njoftoi se temperaturat e sipërfaqes së detit në rajonin tregues Nino3.4 në Paqësorin tropikal arritën në 29.70°C muajin e kaluar, një “lartësi e të gjitha kohërave”. Ky nivel tejkaloi pikat maksimale të ngjarjeve të forta të viteve 1982/1983, 1997/1998 dhe 2015/2016, duke theksuar forcën e veçantë të episodit aktual.
Paralelisht, agjencia meteorologjike e Japonisë deklaroi të premten se kushtet e El Niños kanë arritur “intensitetin më të fortë të regjistruar ndonjëherë”, me temperaturat në zonën e monitorimit 4°C mbi normalen. Ekspertët theksojnë se ngrohja e përgjithshme e oqeaneve mund t’i bëjë episodet e reja të duken më të fuqishme krahasuar me të kaluarën, duke e vështirësuar krahasimin historik.
Ndërkohë, temperaturat mesatare globale të sipërfaqes së detit shënuan rekord për muajin shtator në 21.05°C, duke kaluar pragun e mëparshëm prej 20.92°C për shtatorin e vitit 2023, sipas Copernicus. Shtatori rezultoi muaji i dytë më i nxehtë i regjistruar për temperaturat e ajrit në sipërfaqe, me një mesatare prej 16.27°C, ose 1.63°C mbi nivelin para-industrial (1850–1900).
Kombet e Bashkuara paralajmëruan në shtator se objektivi afatgjatë për ta mbajtur ngrohjen globale në 1.5°C ka gjasa të mos arrihet brenda pak vitesh.
“Jemi në një periudhë të re muajsh mbi 1.5 gradë Celsius dhe, me një El Nino të fortë që ende intensifikohet, ka të ngjarë që ai të zgjasë deri në vitin 2027”,tha drejtori i Copernicus, Carlo Buontempo.
Shkencëtarët theksojnë nevojën për uljen e emetimeve të gazeve serrë nga lëndët djegëse fosile, për të kufizuar kohëzgjatjen e tejkalimit mbi 1.5°C dhe për të ulur temperaturat sa më shpejt të jetë e mundur. El Niño, i cili zakonisht përsëritet çdo dy deri në shtatë vjet dhe zgjat rreth nëntë deri në dymbëdhjetë muaj, ngroh Paqësorin ekuatorial qendror e lindor dhe sjell ndryshime globale në erëra, presion dhe reshje. Ekspertët paralajmërojnë se ai mund të çojë temperaturat globale në një rekord të ri në vitin 2027.











