Demo: Shqipëria dhe Greqia të zgjerojnë partneritetin për ekonomi, siguri dhe rrugën drejt BE-së
Ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, në Forumin Strategjik të Bashkëpunimit Ballkanik theksoi domosdoshmërinë e thellimit të partneritetit Shqipëri–Greqi në ekonomi, siguri, bashkëpunim rajonal e akademik. Ai përmendi projekte të përbashkëta dhe shifra konkrete të shkëmbimeve tregtare.

Ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, mori pjesë në Forumin Strategjik të Bashkëpunimit Ballkanik, ku theksoi nevojën për të zgjeruar partneritetin strategjik mes Shqipërisë dhe Greqisë në fusha si ekonomia, siguria, bashkëpunimi rajonal dhe akademik.
Duke u ndalur te baza e marrëdhënieve dypalëshe, ai u shpreh se ato mbështeten në lidhje historike dhe bashkëpunim mes njerëzve. “Partneriteti ynë strategjik është para së gjithash një realitet i ndërtuar nga vetë njerëzit,” tha Demo, duke nënvizuar rëndësinë e takimeve dhe shkëmbimeve të rregullta për të hapur fusha të reja bashkëpunimi.
Në planin ekonomik, ministri bëri të ditur se shkëmbimet tregtare mes dy vendeve kanë kaluar 1 miliard euro dhe se në tregun shqiptar operojnë mbi 300 kompani greke. Ai përmendi potenciale të mëtejshme në infrastrukturë, logjistikë, turizëm, teknologji, inovacion dhe tranzicion të gjelbër.
Demo vuri në dukje bashkëpunimin rajonal përmes programit Interreg, ku Shqipëria dhe Greqia po zbatojnë 20 projekte me vlerë totale 25 milionë euro, me 55 partnerë të përfshirë, rreth gjysma bashki. Projektet përqendrohen në eko-turizëm, infrastrukturë dhe zhvillim lokal, me ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e qytetarëve.
Si ministër i Brendshëm, ai theksoi prioritetet në menaxhimin e kufijve sipas standardeve të Schengen-it, luftën kundër krimit të organizuar dhe trafikimit, si dhe mbrojtjen civile. Si shembull, ai përmendi bashkëpunimin ndërkufitar të strukturave zjarrfikëse që ka rritur kapacitetet logjistike dhe profesionale për përballimin e emergjencave.
“Rajoni i Adriatiko-Jonian po bëhet portë hyrëse për sigurinë energjetike, transportin dhe koordinimin në fushën e mbrojtjes, ndërsa gazsjellësi TAP tashmë kalon nëpërmjet të dy vendeve tona,”tha Demo, duke e parë këtë si mundësi për tërheqje investimesh dhe standarde më të larta qeverisjeje.
Ai vlerësoi edhe bashkëpunimin akademik, me theks te shkëmbimet e studentëve dhe studiuesve, si dhe falënderoi mbështetjen e Greqisë për integrimin europian të Shqipërisë. Sipas tij, objektivi mbetet përmbyllja e kapitujve të negociatave deri në vitin 2027.











