Blogeri rus Mikhail Zvinchuk kthehet në Moskë pas dëbimit nga Mali i Zi
Themeluesi i kanalit Rybar në Telegram u dëbua nga Mali i Zi për arsye sigurie dhe u kthye në Rusi pasi kaloi tranzit nga Serbia. Pajisjet e konfiskuara gjatë ndalimit mbeten në duart e autoriteteve malazeze.

Mikhail Zvinchuk, bloger rus dhe themelues i kanalit Rybar në Telegram, është kthyer në Moskë pasi u dëbua nga Mali i Zi për arsye të sigurisë kombëtare dhe të brendshme. Ai udhëtoi fillimisht nga Podgorica drejt Beogradit, së bashku me bashkëshorten dhe tre bashkëpunëtorë, e më pas fluturoi për në Rusi.
Pas mbërritjes, Zvinchuk deklaroi për mediat ruse se në lirimin dhe riatdhesimin e tij u përfshinë institucione shtetërore të Rusisë, përfshirë Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe rrjetin diplomatik. Ai shtoi se pajisjet e konfiskuara gjatë ndalimit në Mal të Zi nuk i janë kthyer ende dhe se po asistohen nga ambasada ruse për zgjidhjen e kësaj çështjeje.
Zvinchuk dhe bashkëpunëtorët e tij u ndaluan të premten, më 9 tetor, në komunën e Kotorrit. Gjatë bastisjes, autoritetet sekuestruan pajisje digjitale, përfshirë një dron, kamera me rezolucion të lartë, një GoPro dhe disa telefona. Policia bëri të ditur se pajisjet do t’i nënshtrohen ekspertizave për të përcaktuar qëllimin e përdorimit të tyre në territorin malazez.
Sipas vendimit të Policisë së Malit të Zi, dëbimi u urdhërua për arsye sigurie. Përpara se të hynte në Mal të Zi, Zvinchuk kishte qëndruar në Serbi dhe në Bosnje e Hercegovinë, ku ai dhe ekipi i tij dyshohet se po xhironin një seri dokumentarësh për marrëdhëniet mes Rusisë dhe Ballkanit.
Kanali Rybar njoftoi se katër shtetasit rusë kishin qëndruar ligjërisht në Mal të Zi dhe kishin planifikuar xhirime në Manastirin e Cetinës, për të cilat ishte paraqitur më herët një kërkesë zyrtare.
Rybar është një rrjet mediatik rus i themeluar në vitin 2018 nga Zvinchuk, ish-punonjës i shërbimit për shtyp në Ministrinë ruse të Mbrojtjes. Gjatë luftës në Ukrainë, ai u bë një nga kanalet ushtarake proruse më me ndikim në Telegram. Zvinchuk është nën sanksionet e Bashkimit Evropian që nga viti 2023 dhe, sipas BE-së, bën pjesë në një grup pune të krijuar nga Vladimir Putin për të koordinuar përpjekjet e mobilizimit. Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe e lidhin rrjetin Rybar me operacione të ndikimit të huaj dhe luftës informative; në vitin 2024, Departamenti amerikan i Shtetit ofroi deri në 10 milionë dollarë shpërblim për informacione mbi personat e lidhur me këtë projekt.











