Bjellorusia heq statusin “zonë e kontaminuar” për 177 vendbanime nga 1 janari 2027
Minsku planifikon të riklasifikojë territoret e prekura nga Çernobili, një ndryshim që prek rreth 566 mijë banorë. Ekspertët ndahen për rrezikun nga rrezatimi dhe pasojat sociale të vendimit.

Bjellorusia do t’u heqë statusin e “zonave të kontaminuara” 177 qyteteve, qytezave dhe fshatrave nga 1 janari 2027, sipas një njoftimi të fundit. Ndryshimi pritet të prekë rreth 566.400 njerëz, ndërsa në total rreth 930.600 banorë jetojnë ende në territore të ndotura nga mbetjet radioaktive pas aksidentit bërthamor të Çernobilit në vitin 1986.
Autoritetet bjelloruse thonë se studimet e periudhës 2021–2025 kanë treguar “përmirësim të ndjeshëm” të kushteve në një sërë vendbanimesh. Vendimi pason kritikat e prillit 2025 nga presidenti Aleksandr Lukashenko mbi klasifikimin aktual. “Çfarë kemi bërë për 30 vjet nëse kemi 900.000 njerëz që jetojnë në zona të kontaminuara?”, citohet të ketë thënë ai, duke kërkuar përditësim të statistikave.
Riklasifikimi lidhet edhe me përfitimet ekzistuese për banorët e zonave të prekura, si ushqimi falas për nxënësit, pushime shëndetësore për fëmijët dhe pagesa që për disa prindër të rinj arrijnë në 150% të ndihmës standarde për kujdesin ndaj fëmijëve. Vetëm në rajonin e Homelit, rreth 88.000 fëmijë marrin çdo vit ushqim të financuar nga shteti; nxënësit që plotësojnë kriteret do të vazhdojnë ta përfitojnë deri në qershor 2027.
Eksperti bjellorus i sigurisë nga rrezatimi, Syarhey Besarab, e cilëson vendimin si të parakohshëm, duke vlerësuar se duhen rreth 260 vjet që nivelet e rrezatimit të kthehen në gjendjen para vitit 1986. Ai thekson se plutoniumi-241 në tokë shndërrohet në americium-241 me toksicitet të lartë, me kulm të pritur në fund të viteve 2050, dhe paralajmëron për „pika” lokale me nivel të lartë që nuk kapen nga “teknikat e vlerësimit në shkallë të gjerë”.
Ndërkohë, shkencëtari britanik i mjedisit Jim Smith vlerëson se sot rreziku në shumicën e zonave të Bjellorusisë dhe Ukrainës është kryesisht i lidhur me konsumimin e ushqimeve të egra dhe peshkut. Sipas tij, ndotja urbane është zbehur ndjeshëm me kalimin e kohës; ceziumi-134 “u zhduk” brenda rreth një dekade për shkak të gjysmëjetës dyvjeçare, ndërsa pjesa më e madhe e mbetur është ceziumi-137 me gjysmëjetë më të gjatë. Jashtë zonës së përjashtimit në kufi me Ukrainën, ai nuk sheh rrezik të konsiderueshëm në shumicën e territoreve të kontaminuara.
Smith parashikon se Ukraina, e cila shpenzon çdo vit dhjetëra miliona dollarë për ndihma ndaj të prekurve nga Çernobili, nuk pritet të ndjekë së shpejti shembullin e Minskut. Ndërkohë, zëra nga terreni në Bjellorusi e përshkruajnë klimën publike si të rezervuar: “Në Bjellorusinë e sotme, është e rrezikshme të shprehësh pakënaqësi për çfarëdo çështjeje”, tha një banor, ndërsa një tjetër cilësoi përfitimet ekzistuese si të vogla, por të nevojshme.











