Adani shkon drejt: Zhegrova nuk është për nivelin e Juventusit
Analisti italian Daniele Adani tha se Edon Zhegrova nuk i përshtatet Juventusit dhe se do t’i shkonte më shumë një skuadre të mesit të tabelës. Komentet erdhën pak pasi kosovari u aktivizua në pjesën e dytë kundër Cagliarit.

Analisti i Rai Sport, Daniele Adani, ka vlerësuar se sulmuesi kosovar Edon Zhegrova nuk është në nivelin e Juventusit, duke sugjeruar se profili i tij do të ishte më i përshtatshëm për një ekip që synon mesin e tabelës.
Sipas Adanit, minutazhi i kufizuar i Zhegrovës është një nga arsyet pse ai nuk e sheh atë te “Zonja e Vjetër”.
“Edon Zhegrova nuk është një nivel lojtari për Juventusin. Ai nuk ka të bëjë asgjë me Juventusin. Ai duhet të luajë për një skuadër që lufton për mesin e tabelës, sepse ai luan vetëm 30 minuta për ndeshje”, tha Adani.
Komenti i tij u publikua edhe në rrjete sociale nga një faqe e fansave të Juventusit, duke cituar Adanin si pundit të Rai Sport.
Zhegrova u fut në lojë në fillim të pjesës së dytë në përballjen e fundit ndaj Cagliarit, me paraqitjen e tij të vlerësuar pozitivisht nga raportimet.











