Trump thotë se është arritur “armëpushim energjetik” Rusi–Ukrainë; Zelensky kërkon sqarime
Donald Trump njoftoi një armëpushim energjetik mes Rusisë dhe Ukrainës me efekt të menjëhershëm. Volodymyr Zelensky tha se Kievi nuk ka marrë njoftim zyrtar dhe kërkoi të dijë kur do të nisë.

Donald Trump deklaroi se Rusia dhe Ukraina kanë rënë dakord për një “armëpushim energjetik” që hyn menjëherë në fuqi, ndërsa presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky u shpreh se Kievi nuk ka informacion për një marrëveshje të tillë dhe kërkoi sqarime.
Sipas një postimi në platformën e tij sociale Truth, Trump tha se të dyja palët “kanë rënë dakord” dhe u bëri thirrje të mos e shkelin marrëveshjen. Ai e përshkroi masën si me “efekt të menjëhershëm”.
Zelensky, në komente për Axios, u shpreh i papërditësuar mbi këtë zhvillim.
“Për mua është një risi. Nëse edhe Moska është dakord, atëherë jemi edhe ne. Nëse Trump e ka negociuar me Putinin, ju lutem na tregoni kur do të nisë armëpushimi. Ne jemi gati dhe do ta pranojmë”,theksoi ai.
I pyetur për kërkesat e mëhershme që ai të largohet nga pushteti, Zelensky nënvizoi se vendimmarrja i takon qytetarëve të Ukrainës.
“Nëse duhet të largohem? Këtë duhet ta vendosin ukrainasit”,tha ai.
Nga palët nuk ka detaje të tjera publike mbi përmbajtjen ose mekanizmat e zbatimit të një armëpushimi energjetik, as për afatet e tij.











