Presidentja Shiroka-Pula pranon urime nga homologët e Italisë dhe Kroacisë
Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka-Pula, ka marrë urime nga Sergio Mattarella dhe Zoran Milanović pas marrjes së detyrës. Dy presidentët theksuan gatishmërinë për thellim të bashkëpunimit dhe mbështetje për stabilitetin rajonal.

Presidentja e Republikës së Kosovës, Justina Shiroka-Pula, ka pranuar mesazhe urimi pas marrjes së detyrës nga presidenti i Italisë, Sergio Mattarella, dhe ai i Kroacisë, Zoran Milanović.
Në letrën e tij, Mattarella shprehet për një nxitje të re të bashkëpunimit dypalësh dhe thellim të marrëdhënieve, në vijim të mbështetjes së vazhdueshme të Italisë për Kosovën, përfshirë kontributin në misionin e KFOR-it, komandën e të cilit Roma pritet ta marrë sërish së shpejti.
“Shpresoj gjithashtu që, gjatë mandatit tuaj, Kosova të arrijë përparim konkret dhe të qëndrueshëm në reformat e brendshme […] Në këtë rrugëtim sfidues, Kosova do të mund të mbështetet në përkrahjen tonë,” thuhet në letrën e presidentit italian.
Ndërkohë, presidenti kroat Zoran Milanović ka shprehur gatishmërinë për vazhdimin e bashkëpunimit me Kosovën, me theks të veçantë te siguria dhe stabiliteti në Evropën Juglindore.
Urimet e dy krerëve të shteteve vijnë si sinjal i vijimësisë së mbështetjes ndërkombëtare për Kosovën dhe i synimit për forcimin e lidhjeve bilaterale dhe rajonale.











