Pozheran i Vitisë i jep lamtumirën e fundit Egzon dhe Nafije Bogujevcit; i dyshuari në paraburgim
Familjarë e banorë të Pozheranit i kanë dhënë sot lamtumirën e fundit Egzon dhe Nafije Bogujevcit. Vëlla e motër dyshohet se u vranë të premten në Livoç të Ulët të Gjilanit; i dyshuari është në paraburgim.

Familjarë dhe qytetarë u mblodhën sot në Pozheran të Vitisë për t’u dhënë lamtumirën e fundit Egzon dhe Nafije Bogujevcit, vëlla e motër që u vranë të premten në Livoç të Ulët të Gjilanit, rreth orës 14:26.
Sipas të dhënave zyrtare, i dyshuari Valon Ramushi akuzohet se privoi nga jeta bashkëshorten e tij, Nafijen, dhe vëllain e saj, Egzonin. Gjatë ngjarjes u plagos rëndë edhe një person tjetër, që dyshohet të jetë djali i axhës së viktimave, i cili po trajtohet në njësinë e Intensivës në QKUK.
Pas ngjarjes, i dyshuari është vetëdorëzuar në polici. Prokuroria Themelore në Gjilan ka nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave të plota të rastit.
Nga familjarët është thënë se motivi i dyshuar lidhet me xhelozinë e bashkëshortit, ndërsa më herët nuk ishin evidentuar probleme të theksuara familjare. Po ashtu, u bë e ditur se Egzoni ishte djali i vetëm i familjes.
Gjykata Themelore në Gjilan ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj Valon Ramushit.











