Gërxhaliu paralajmëron: Pa kthesë ekonomike, Kosova rrezikon varësi nga ndihmat sociale
Safet Gërxhaliu u bën thirrje institucioneve të reja të vendosin në qendër zhvillimin ekonomik, mbështetjen e sektorit privat dhe investimet nga diaspora, përndryshe vendi rrezikon të mbetet i varur nga ndihmat sociale.

Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, ka kërkuar që institucionet e reja të vendit të vendosin zhvillimin ekonomik në krye të agjendës, duke paralajmëruar se Kosova mund të mbetet e varur nga ndihmat sociale nëse nuk krijon kushte për investime dhe rritje të qëndrueshme.
Sipas tij, pas formimit të institucioneve, duhet shfrytëzuar momenti për të rikthyer besimin e bizneseve, tërhequr investime dhe unifikuar politikat në funksion të ekonomisë. Ai thekson rëndësinë e krijimit të kushteve për bizneset vendore dhe investitorët nga diaspora.
“Nuk jetohet nga ndihma, jetohet nga zhvillimi,” ka theksuar Gërxhaliu, duke kërkuar prioritet për sektorin privat, prodhimin vendor dhe reforma në arsim, veçanërisht në arsimin dual dhe profesional.
Gërxhaliu nënvizoi se rikthimi i besimit për investime dhe shfrytëzimi i potencialit financiar të diasporës janë kyçe. Ai përmendi nevojën për pako të veçanta për diasporën dhe përmirësimin e perceptimit për Kosovën, që sipas tij ka ndikuar negativisht në perspektivën ekonomike.
Ai vlerësoi se vitet e fundit Kosova nuk i ka përdorur sa duhet mundësitë për të absorbuar mjete nga Bashkimi Evropian dhe donatorët e tjerë, duke paralajmëruar kosto ekonomike në të ardhmen. Po ashtu, kërkoi unitet politik dhe thellim të partneritetit me SHBA-në dhe shtetet evropiane.
Mesazhi i tij përfshiu edhe thirrjen për dialog funksional ndërmjet nivelit qendror e lokal, sektorit privat dhe partnerëve socialë, si dhe një diplomaci të depolitizuar në shërbim të shtetit, qytetarëve dhe diasporës. Formimi i institucioneve të reja, tha ai, duhet të shërbejë për kapërcimin e përçarjeve dhe orientimin e vendit drejt zhvillimit ekonomik.











