Derbi Tirana–Partizani: Policia shpall plan masash dhe bllokime rrugësh nga ora 16:00
Policia e Tiranës ka njoftuar masa sigurie për ndeshjen Tirana–Partizani në “Arenën Kombëtare”, me bllokime të disa akseve që nga ora 16:00. Tifozët do të udhëhiqen në itinerare të veçanta dhe do t’i nënshtrohen kontrolleve para hyrjes në stadium.

Policia e Tiranës ka prezantuar një plan të posaçëm sigurie për derbin ndërmjet Partizanit dhe KF Tiranës, që luhet sot në orën 18:30, në stadiumin “Arena Kombëtare”. Sipas njoftimit, disa segmente do të jenë të bllokuara nga ora 16:00 deri në përfundim të aktivitetit.
Rrugët që do të mbyllen për qarkullim janë sheshi “Nënë Tereza”, rruga “Lekë Dukagjini”, rruga “Dervish Hima”, si dhe zonat përreth stadiumit.
Për lëvizjen e tifozerive janë përcaktuar itinerare të veçanta. Tifozët e Partizanit do të nisen nga zona e Inxhinierisë, përgjatë rrugës “21 Dhjetori”, te “Libri Universitar”, anash Presidencës, në rrugën “Gjergj Filipi”, te “Coin”, duke hyrë në tribunën N.
Tifozët e KF Tiranës do të nisin nga sheshi “Skënderbej”, te ish-Hotel “Dajti”, Ura e Dajtit, me kthim te ETC, në rrugën e Elbasanit, rruga “Dervish Hima”, më pas drejt rrugës “Sheh Ahmet Pazari”, “Ambasador 3”, për t’u drejtuar te hyrjet V–S.
Policia do të shoqërojë lëvizjen e tifozëve vetëm në këto itinerare dhe nuk do të lejojë grumbullime apo kalime jashtë tyre.
Para hyrjes në stadium do të kryhen kontrolle rigoroze për sende të ndaluara si objekte të forta, bidonë uji, çadra, çelësa metalikë dhe lëndë piroteknike. Çdo tifoz duhet të ketë me vete dokument identifikimi; pa të, hyrja nuk lejohet.
Fëmijët nën 16 vjeç, edhe me biletë, mund të hyjnë vetëm të shoqëruar nga prindi ose kujdestari ligjor me dokument identifikimi. Nuk do të lejohen të futen as tifozët e identifikuar më parë si problematikë. Policia kërkon mirëkuptimin e qytetarëve për të shmangur lëvizjen me automjete në zonat e bllokuara brenda orareve të përcaktuara.











