Avion i IndiGo devijohet dhe ulet urgjentisht në Hyderabad pas zjarrit nga një pajisje elektronike
Një fluturim i IndiGo u devijua drejt Hyderabadit pasi një pajisje personale, e dyshuar si power bank, nxori tym dhe mori flakë në kabinë. Avioni u ul në mënyrë të sigurt dhe asnjë pasagjer apo anëtar i ekuipazhit nuk u lëndua.

Në Indi, një fluturim i kompanisë ajrore IndiGo u devijua të dielën drejt Hyderabadit pasi një pajisje elektronike personale – e dyshuar si bateri portative (power bank) – filloi të nxirrte tym dhe mori flakë në bord. Avioni u ul në mënyrë të sigurt në Aeroportin Ndërkombëtar Rajiv Gandhi.
Sipas raportimeve lokale, ngjarja shkaktoi panik mes pasagjerëve. Pamjet që qarkulluan në rrjetet sociale tregojnë udhëtarë duke u përpjekur ta izolojnë pajisjen në ndarjen e sipërme të bagazheve me çanta, për të frenuar përhapjen e flakëve.
Ekuipazhi i kabinës ndërhyri menjëherë dhe arriti të shuante zjarrin me aparate fikëse, ndërsa pilotët morën vendimin ta devijonin fluturimin për ulje emergjente në Hyderabad.
Të gjithë pasagjerët dhe anëtarët e ekuipazhit janë jashtë rrezikut, bënë të ditur raportimet, ndërsa avioni përfundoi uljen pa incidente të tjera.











