Alarm nga shërbimet evropiane: Rusia po synon drejtues të kompanive të mbrojtjes
Agjencitë e inteligjencës në Evropë paralajmërojnë se Rusia po zgjeron operacionet e saj hibride, duke shënjestruar drejtues të industrisë së mbrojtjes dhe sektorë kritikë. Kompanitë kanë forcuar ndjeshëm sigurinë, teksa autoritetet flasin edhe për plane atentatesh.

Kompanitë evropiane të industrisë së mbrojtjes kanë rritur masat e sigurisë për drejtuesit e tyre, pasi shërbimet e inteligjencës paralajmërojnë se Rusia po intensifikon synimet ndaj ekzekutivëve që mbështesin Ukrainën. Kërcënimi prek si prodhuesit e mëdhenj të armëve, ashtu edhe firmat më të vogla të dronëve dhe komponentëve.
Sipas Financial Times, zyrtarë nga pesë agjenci evropiane të inteligjencës thonë se operativët e Kremlinit po zgjerojnë operacionet e sabotimit dhe veprime të tjera hibride në territorin evropian, me fokus te drejtuesit e kompanive të mbrojtjes. Autoritetet theksojnë se rreziku tashmë përfshin si objektet ashtu edhe individët.
Shërbimi gjerman i inteligjencës së brendshme (BfV) ka intensifikuar kontaktet me punonjës dhe drejtues të industrisë, duke rekomanduar masa të avancuara sigurie, përfshirë ekipe private për mbrojtje të afërt. Drejtori i BfV-së, Sinan Selen, u ka bërë me dije ligjvënësve gjermanë se Rusia po planifikon akte të qëllimshme dhune përmes strukturave shtetërore ose të kontrolluara nga shteti, ndërsa po shfrytëzohen gjithnjë e më shumë edhe rrjete të krimit të organizuar.
Zyrtarët e inteligjencës i atribuojnë një pjesë të konsiderueshme të këtyre planeve GRU-së, agjencisë ushtarake ruse, me organizim në qeliza të ndara për vëzhgim, logjistikë, planifikim dhe ekzekutim, dhe me përdorim të terminologjisë “wet work”. Disa plane janë zbuluar dhe parandaluar, ndërsa në raste të tjera është vërejtur mbikëqyrje e dyshimtë pranë banesave dhe vendeve të punës së të shënjestruarve, me autoritetet që theksojnë edhe efektin psikologjik të fushatës.
Presioni, sipas ekspertëve, shtrihet përtej prodhuesve të armatimit, duke përfshirë kompanitë e infrastrukturës kritike dhe të energjisë. Konsulentë të sigurisë raportojnë rritje të kërkesave për këshillim mbi mbrojtjen e stafit në Evropë, ndërsa kompanitë paralajmërojnë se kostot për sigurinë e personelit dhe objekteve po rriten ndjeshëm, veçanërisht për aktorët e rinj në treg. Një drejtues bëri të ditur se një objekt prodhimi në Evropën Perëndimore është zhvendosur për shkak të kërcënimeve ruse.
Gatishmëria është rritur që nga fillimi i vitit 2024, kur inteligjenca amerikane dhe gjermane zbuloi një plan për të shënjestruar Armin Pappergerin, kreun e Rheinmetall. Papperger, i njohur për mbështetjen e furnizimit të Ukrainës me armë, thotë se aktualisht shoqërohet vazhdimisht nga roje private dhe policia.











