Tre shoferë procedohen në Durrës dhe Kavajë për tentativë ryshfeti ndaj policisë
Dy raste në Durrës dhe një në Kavajë u zbuluan gjatë kontrolleve të trafikut, ku tre shoferë dyshohet se tentuan t’u jepnin para efektivëve për të shmangur gjobat. Materialet janë dërguar në Prokurori.

Tre drejtues mjetesh u proceduan penalisht në Durrës dhe Kavajë, pasi dyshohet se tentuan të korruptonin punonjës të Policisë Rrugore për të shmangur ndëshkimet për shkelje të rregullave të qarkullimit.
Sipas të dhënave zyrtare, gjatë kontrolleve të monitorimit të trafikut u konstatuan dy raste në Durrës dhe një në Kavajë. Në të gjitha episodet, shoferët ishin me dokumentacion të parregullt dhe dyshohet se u përpoqën t’u jepnin para efektivëve për të mos u gjobitur.
Për këto raste, në gjendje të lirë u proceduan shtetasit K. M., 47 vjeç, dhe E. A., 30 vjeç, të dy me banim në Durrës, si dhe A. K., 35 vjeç, banues në Peqin. Ata dyshohen për veprën penale “korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme hetimore.
Policia Rrugore e Durrësit u bën thirrje drejtuesve të mjeteve të respektojnë rregullat e qarkullimit dhe fton qytetarët të raportojnë shkeljet në numrin 112, duke garantuar anonimat dhe reagim nga shërbimet policore.











