Tërmet 7.7 godet Panamanë: dëme në ndërtesa, pa viktima; paralajmërimet për cunami hiqen
Një tërmet me magnitudë 7.7 tronditi Panamanë, duke shkaktuar dëme në ndërtesa dhe ndërprerje të energjisë. Nuk raportohet për viktima, ndërsa paralajmërimet për cunami u hoqën.

Panamaja u trondit nga një tërmet me magnitudë 7.7 të shkallës Rihter, me epiqendër pranë provincës Herrera, që u ndie gjerësisht në vend, përfshirë kryeqytetin. Autoritetet njoftojnë për dëme materiale, por pa viktima.
Sipas të dhënave, rreth 4.6 milionë persona ndjenë lëkundjet. Banorët në kryeqytet u larguan nga godinat dhe u grumbulluan në rrugë e parqe nga frika e shembjeve të mundshme.
Raportohet për dëme në banesa, ndërtesa publike dhe infrastrukturë. Mes tyre, një pjesë e Katedrales historike të Shën Gjon Pagëzorit, e ndërtuar në vitin 1581, është shembur.
Ndërprerje të energjisë elektrike u regjistruan në gjashtë provinca, ndërsa ekipet e emergjencës po kryejnë verifikime në terren për vlerësimin e situatës dhe garantimin e sigurisë së banorëve.
Autoritetet: qetësi dhe operim normal i Kanalit
Presidenti José Raúl Mulino bëri të ditur se institucionet shtetërore janë mobilizuar dhe u bëri thirrje qytetarëve të ruajnë qetësinë.
Fillimisht u lëshuan paralajmërime për cunami për 11 vende të rajonit, por ato u hoqën më pas, pasi autoritetet amerikane konfirmuan mungesën e rrezikut. Kanali i Panamasë vijon funksionimin normal dhe nuk është prekur nga tërmeti.











