Putin ofron naftë, Trump premton dërgesa; Zelensky kundërshton: “Dhuratat për Putinin s’përtjerrin paqe”
Pas një telefonate më 9 tetor, Trump njoftoi dërgimin e më shumë se 300 mijë tonëve naftë dizel nga Rusia, me furnizime shtesë në muajt në vijim. Zelensky paralajmëron se të ardhurat mund të forcojnë makinerinë ruse të luftës.

Presidenti rus Vladimir Putin i shprehu Donald Trump-it gatishmërinë e Moskës për të furnizuar me naftë dhe produkte të saj tregjet amerikane dhe ndërkombëtare, pas një bisede telefonike të premten, më 9 tetor. Sipas njoftimit të presidentit amerikan, Rusia do të dërgojë menjëherë mbi 300 mijë tonë naftë dizel, ndërsa parashikohen dërgesa të tjera në vijim.
Trump bëri të ditur se në nëntor pritet një furnizim prej 500 mijë tonësh, më pas edhe një milion tonë të tjerë dhe deri në tre milionë tonë shtesë, në varësi të kapaciteteve të rafinerive ruse. Ai argumentoi se rritja e ofertës do të ndihmojë në uljen e shpejtë të çmimeve të karburanteve, të rritura ndjeshëm nga kriza e lidhur me luftën me Iranin.
Marrëveshja ka nxitur reagimin e menjëhershëm të presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, i cili e cilësoi këtë si një vendim që mund të fuqizojë financiarisht Moskën në luftën kundër Ukrainës. “Dhuratat për Putinin nuk do të sjellin paqe dhe as ndonjë përfitim për botën e qytetëruar”, u shpreh ai, duke kritikuar lehtësimin e furnizimeve ruse me produkte nafte.
Sipas Zelenskyt, lejimi i shitjeve të karburanteve ruse rrezikon të zgjasë konfliktin, pasi të ardhurat nga eksportet mund të përdoren për operacione ushtarake. “Rusia do ta shpërblejë këtë naftë dizel me më shumë terror dhe mashtrim”, shtoi ai.
Duke iu përgjigjur kritikave, Trump mbrojti vendimin duke theksuar nevojën për furnizime të shtuara të energjisë në tregjet botërore. “Ne jemi një partner i fortë. Na duhet naftë për të gjithë botën”, deklaroi ai.
Vendimi amerikan është shoqëruar me një lehtësim të përkohshëm të kufizimeve për transaksionet me naftën dizel ruse, përmes një autorizimi të Departamentit të Thesarit, duke hapur debat mbi ndikimin në presionin ekonomik ndaj Moskës dhe në ecurinë e luftës në Ukrainë.











