Kakavijë: 51-vjeçare gjermane në pranga; në automjet iu gjetën pistoletë dhe 141 g kanabis
Policia Kufitare në Kakavijë arrestoi një shtetase gjermane 51-vjeçare pasi në automjetin dhe rulotin e saj u gjetën një pistoletë me municion dhe rreth 141 gramë kanabis. Operacioni “Risku 2” u zhvillua gjatë kontrolleve të thelluara në dalje të kufirit.

Në pikën kufitare të Kakavijës, një shtetase gjermane 51-vjeçare u arrestua gjatë operacionit të koduar “Risku 2”, pasi në automjetin dhe rulotin që drejtonte u gjetën një armë zjarri pistoletë me mulli, municion dhe rreth 141 gramë lëndë e dyshuar narkotike kanabis.
Policia bën me dije se kontrollet u intensifikuan në dalje të kufirit për të parandaluar dhe goditur tentativat për trafikimin e lëndëve narkotike dhe armëve. Automjeti dhe ruloti i shtetases me inicialet A. S. iu nënshtruan skanimit dhe më pas kontrollit të detajuar në vijën e dytë.
Gjatë verifikimit u sekuestruan një pistoletë me mulli me municionin përkatës, si dhe gjashtë kavanoza dhe tri qese hermetike me kanabis, me peshë totale rreth 141 gramë.
Pas veprimeve të para hetimore, specialistët për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Gjirokastër arrestuan në flagrancë 51-vjeçaren. Si prova materiale u sekuestruan arma, municioni, lënda narkotike, automjeti me rulotin dhe një telefon celular.
Materialet procedurale janë referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprat penale të dyshuara të “Trafikimit të narkotikëve” dhe “Trafikimit të armëve dhe municioneve”.











