Dy të arrestuar në Tiranë për modifikim të makinave të lojërave të fatit
Policia e Tiranës arrestoi dy persona, 53 dhe 67 vjeç, të dyshuar për kontrabandë dhe modifikim të makinave të lojërave të fatit me programe ilegale. Operacioni “Interceptimi” u finalizua pas pesë muaj hetimesh.

Dy burra, 53 dhe 67 vjeç, u vunë në pranga në Tiranë pasi dyshohet se kontrabandonin dhe modifikonin makina të lojërave të fatit me programe të paligjshme, për t’ua shitur organizatorëve të aktiviteteve të ndaluara.
Policia njoftoi se operacioni i koduar “Interceptimi” u finalizua pas një hetimi pesëmujor, të kryer nga specialistët për Hetimin e Mashtrimeve Kibernetike, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale dhe nën drejtimin e Prokurorisë.
Sipas të dhënave zyrtare, 53-vjeçari A. S. kishte marrë me qira një magazinë në zonën e Kodrës së Priftit, ku dyshohet se, së bashku me 67-vjeçarin S. K., sillte makina nga shtetet fqinje dhe i përshtaste me programe elektronike të vjedhura dhe ndërhyrje elektromagnetike, në përputhje me kërkesat e personave të përfshirë në organizimin e paligjshëm të lojërave të fatit.
Gjatë kontrollit policor u sekuestruan 25 makina lojërash (slot machine), katër telefona celularë, dy laptopë dhe një njësi kompjuterike. Sipas Policisë, pajisjet e sekuestruara përdoreshin për kryerjen e modifikimeve të paligjshme.
Hetimet po vijojnë për identifikimin e personave të tjerë të dyshuar si të përfshirë në këtë veprimtari. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.











