BE i kërkon SHBA-së të tërheqë sanksionet ndaj GJNP: presioni rrezikon pavarësinë e gjykatës
Bashkimi Evropian i ka bërë thirrje SHBA-së të heqë sanksionet ndaj Gjykatës Ndërkombëtare Penale, duke paralajmëruar se presioni cenon pavarësinë dhe funksionimin e saj. Kaja Kallas e vlerësoi shtyrjen e masave si hap për dialog.

Bashkimi Evropian i kërkoi Shteteve të Bashkuara të heqin sanksionet e vendosura ndaj Gjykatës Ndërkombëtare Penale, duke paralajmëruar se çdo presion ndaj këtij institucioni rrezikon pavarësinë dhe aftësinë e tij për të kryer mandatin.
Në një deklaratë të bërë në emër të BE-së, Përfaqësuesja e Lartë për Politikën e Jashtme, Kaja Kallas, theksoi se GJNP duhet të punojë në mënyrë të pavarur, pa ndërhyrje të jashtme dhe presione.
“Sulmet ose kërcënimet kundër Gjykatës, zyrtarëve të saj, stafit dhe personave që bashkëpunojnë me të, përfshirë përfaqësuesit e shoqërisë civile dhe ofruesit e shërbimeve, janë të papranueshme”, tha Kallas.
Sipas saj, BE-ja është e gatshme të ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm për të garantuar vazhdimësinë dhe efektivitetin e punës së Gjykatës Ndërkombëtare Penale.
Kallas e vlerësoi vendimin e Uashingtonit për të shtyrë hyrjen në fuqi të masave, duke e konsideruar atë si mundësi për dialog diplomatik dhe gjetjen e një zgjidhjeje.
Ajo theksoi se synimi duhet të jetë heqja sa më e shpejtë e sanksioneve dhe shmangia e çdo mase tjetër që mund të dëmtojë pavarësinë dhe integritetin e GJNP-së, si dhe përshëndeti gatishmërinë e SHBA-së për të diskutuar shqetësimet me shtetet palë të Statutit të Romës. BE-ja, shtoi ajo, do të vazhdojë të mbështesë gjykatën, institucionin, stafin dhe bashkëpunëtorët e saj.











