11 vagona bien në humnerë pas daljes nga shinat të një treni mallrash në Kroaci
Një tren i kompanisë private Transagent doli nga shinat pranë stacionit Meja, rreth orës 9:25, pa shkaktuar të lënduar. Hetimet po përcaktojnë shkaqet, ndërsa qarkullimi në segmentin e prekur është pezulluar.

Një tren mallrash doli nga shinat të shtunën në mëngjes pranë stacionit hekurudhor Meja, në Kroaci, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale, por pa viktima apo të lënduar. Ngjarja ndodhi rreth orës 9:25, kur treni i operatorit privat Transagent po transportonte drithëra në drejtim të Rekës.
Sipas të dhënave fillestare, drejtuesi i mjetit kishte njoftuar dispeçerin se frenat nuk po funksiononin dhe se nuk arrinte ta ndalte trenin. Si pasojë, 11 vagonë dolën nga shinat dhe ranë në një humnerë, ndërsa lokomotiva dhe dy vagonë të tjerë mbetën në stacion.
Autoritetet nuk kanë përcaktuar ende shkakun përfundimtar. Qarkullimi hekurudhor në atë segment u pezullua dhe për pasagjerët u vendos transport zëvendësues me autobusë, ndërsa pjesët e tjera të linjës vijojnë normalisht.
Kryetari i bordit drejtues të HŽ Infrastruktura, Damir Lonçariq, tha se nuk dihet kur do të rikthehet trafiku i rregullt dhe u bëri thirrje operatorëve që të rrisin kontrollin teknik të lokomotivave dhe vagonëve, veçanërisht atyre në pronësi private. Ai shtoi se, nëse konfirmohet problem me frenat, “duhet parë nëse çështja nuk lidhet me infrastrukturën”.
Ndërkohë, kryetari i Sindikatës së Drejtuesve të Trenave të Kroacisë, Nenad Mrgan, akuzoi kompaninë Transagent për mungesë përgjegjshmërie dhe ngriti dyshime për sigurinë e vagonëve të saj.
“Drejtues i papërgjegjshëm, kompani e papërgjegjshme Transagent. Kjo u ndodh për të dytin vit radhazi. Fakt është se problemi qëndron te vagonët”,deklaroi ai, duke kujtuar se sindikata kishte paralajmëruar më herët institucionet për këto shqetësime.
Lonçariq kujtoi gjithashtu se rreth tre vjet më parë ndodhi një aksident i ngjashëm pothuajse në të njëjtin vend, në të dyja rastet me operatorë privatë. Hetimet pritet të përcaktojnë shkaqet dhe përgjegjësitë e mundshme.











