Vlora: 17-vjeçar prangoset pranë shkolle për lëndë narkotike, një bashkëmoshatar procedohet
Policia e Vlorës arrestoi në flagrancë një 17-vjeçar në lagjen “Pavarësia”, pranë një shkolle, dhe procedoi penalisht një tjetër të mitur. U sekuestruan doza kokaine dhe kanabisi, një automjet dhe tre celularë.

Një 17-vjeçar u arrestua në flagrancë dhe një tjetër bashkëmoshatar u procedua penalisht në Vlorë, pasi u kapën pranë një shkolle në lagjen “Pavarësia” me doza të dyshuara kokaine dhe kanabisi. Ngjarja ndodhi gjatë një operacioni policor të zhvilluar të premten në qytet.
Sipas Policisë, operacioni i koduar “Shkolla të pastra” u organizua nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të DVP Vlorë, pas administrimit të shpejtë të një informacioni operativ për dy persona që dyshohej se do të shisnin doza droge në afërsi të shkollave të qytetit.
Gjatë ndërhyrjes, të miturit u kapën duke qarkulluar me një automjet, të cilin e drejtonte pa leje drejtimi 17-vjeçari që përfundoi i arrestuar. I riu tjetër, 17 vjeç, u procedua në gjendje të lirë.
Kontrolli në automjet dhe ai fizik ndaj dy të miturve çoi në gjetjen e dhjetëra dozave të dyshuara me lëndë narkotike të llojit kokainë dhe cannabis sativa. Së bashku me dozat, u sekuestruan edhe automjeti dhe tre telefona celularë, si prova materiale.
Materialet procedurale janë referuar në Prokurorinë e Vlorës për veprime të mëtejshme.











